Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe një afarist janë arrestuar të premten nën dyshimet për kryerje të veprave “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka konfirmuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ata janë arrestuar pas një aksioni të bastisjes nga autoritetet policore që është zhvilluar në tri lokacione.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria – e cila e ka dhënë urdhrin për arrestime – ka thënë se të arrestuarit janë personat me inicialet, R.M. H.G dhe I.L.
Atyre tashmë u është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.
Kush janë zyrtarët e arrestuar dhe afaristi?
Të arrestuarit janë dy zyrtarë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), respektivisht drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Gjithashtu është arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi njëri nga personat e dyshuar në këtë rast.
Të dy zyrtarët punojnë prej para shumë vitesh në Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Por, Hafiz Gara që mbante postin e drejtorit të Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, paraqitet si një aktivist apo përkrahës i devotshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Madje Gara ka publikuar edhe foto nga takimet e shumta që ka zhvilluar me njerëz nga strukturat e LDK-së që për kohë të gjatë kanë qeverisur me vendin.
Hafiz Gara shihet në takime politike me Ismet Beqirin e Lutfi Zharkun, mandej me Muharrem Sfarqën e Faik Graincën.
Në rrjetin social Facebook Gara shkruan se Sfarqa ka fituar një mandat si kryetar dhe se do të fitojë edhe mandatin e dytë.
Gjatë bashkëqeverisjes së LDK-së me PDK-në, Hafiz Gara mori pozita të lartë udhëheqëse në institucione dhe më 2017 nga Isa Mustafa ishte emëruar Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Standardizim, ku i mbajti dy mandate. Mandej Gara është bartur në pozita tjera, por gjithnjë drejtuese.






