Ish-mesfushori i Manchester United, Paul Pogba, është zyrtarisht lojtar i ri i Monacos, duke kompletuar rikthimin e shumëpritur në futboll pas më shumë se shtatë muajsh pa skuadër.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën në vitin 2018, ishte pa klub që nga nëntori i vitit të kaluar, kur ai dhe Juventusi ranë dakord për prishjen me marrëveshje të kontratës.
Juventusi vendosi të shkëputë bashkëpunimin me mesfushorin francez pas një pezullimi katërvjeçar të dhënë në shkurt të vitit 2024 për shkelje të rregullave antidoping.
Megjithatë, dënimi iu ul në 18 muaj, duke i hapur rrugën rikthimit të tij në fushë.
Pogba, tani 32 vjeç, ka qenë i lirë të luajë që nga marsi, pasi periudha e pezullimit nisi të llogaritet që nga ndalimi i përkohshëm i vendosur në shtator të vitit 2023.
Pavarësisht rikthimit të mundshëm në pranverë, ai nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare që prej atëherë.
Pogba u largua nga Manchester United në verën e vitit 2022 si lojtar i lirë për të kaluar sërish te Juventusi, por gjatë qëndrimit të tij të dytë në Torino regjistroi vetëm 12 paraqitje.
Tashmë, mesfushori francez ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Monacon, që do ta mbajë në ‘Stade Louis II’ deri më 30 qershor 2027.