Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka ngritur dyshime se janë bërë negocime me Listën Serbe gjatë kohës sa ishte deputeti i PDK-së Rashit Qalaj zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.
Ai ka përmendur një raport të publikuar nga KTV-ja ku theksohet lidhja e Policisë së Kosovës me Listën Serbe. Ndërkaq, sipas Zybës, në emër të ngritjes në detyrë në Prishtinë, këta zyrtarë kanë toleruar krimin e kontrabanden edhe në veri të vendit, shkruan KosovaNews.
Zyba përmes një postimi thotë se deputeti Qalaj ka obligim publik që ta sqaroj nëse ka qenë në dijeni, nëse jo i përfshirë, në këso lloj negociime e bashkëpunime për avancime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Postimi i plotë i Zybës:
Një hulumtim i KTV-së që është publikuar këto ditë theksohen fakte tejet shqetësuese për lidhjen dhe varshmërinë e politikës dhe Policisë së Kosovës ndaj Listës serbe dhe Beogradit. Kjo lidhje madje theksohet edhe kur në pyetje ishte ngritja në detyrë deri te niveli i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
‘’Pas gradimit të shefit të njësisë në veri ishte siguruar mbështetja nga Lista Serbe edhe për njërin prej zyrtarëve policorë në Prishtinë. Ai e kishte marrë pozitën udhëheqëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës’’, thuhet në këtë hulumtim që KTV thotë se e ka siguruar nga raportet e EULEX-it.
Në emër të ngritjes në detyrë në Prishtinë këta zyrtarë kanë toleruar krimin e kontrabanden edhe në veri të vendit. Pra, për vite të tëra kemi folur për rëndësinë që këta i kanë dhënë Beogradit, madje deri në nivelet më të larta të vet organeve të sigurisë.
Raporti flet për periudhën 2014-2017 dhe negociimin që ishte bërë dhe për dikë që thuhet në vet lajmin se kishte marrrë pozitën udhëheqëse në Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së. Në vitin 2018, në këtë pozitë kishte ardhë tash deputeti i PDK-së Rashit Qalaj, që paraprakisht ishte zëvendësdrejtor. Para se të na lindin dyshime të bazuara, deputeti Qalaj ka obligim publik që ta sqaroj nëse ka qenë në dijeni, nëse jo i përfshirë, në këso lloj negociime e bashkëpunime për avancime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.