Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është takuar me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës Çeke Vit Rakusan të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës si dhe mbështetjen konkrete të presidencës çeke për të shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave, transmeton KosovaNews.
Gjatë këtij takimi, Sveçla e ka njoftuar Rakusan lidhur me rezultatet e arritura në fushën e luftimit të krimit e korrupsionit, migrimit të paligjshëm dhe kontrabandës në përgjithësi si dhe angazhimin e Kosovës për të shtyrë përpara proceset e integrimit evropian.
Me këtë rast, Sveçla ka thën֝ë se ministri Rakusan përgëzoi institucionet e Kosovës për rezultatet e arritura kohën e fundit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe konfirmoi përkrahjen e parezervë të Qeverisë së Republikës Çeke në proceset integruese, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave.
“U dakorduam që dy vendet tona kanë potencial shumë të madh për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha me theks tek bashkëpunimi policor, shkëmbimi i informacioneve dhe fushave tjera me interes të përbashkët për të kontribuuar kështu së bashku për sigurinë në rajon dhe më gjërë.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.