Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se 1 janari 2024 shënoi fillimin e proceseve të rëndësishme për vendin tonë, e për më tepër procese të cilat po ndodhin për herë të parë.
Ai tha se lëvizja e lirë pa viza filloi e qytetarët kanë nisur të përfitojnë nga kjo e drejtë e fituar me mund.
Por në këtë rast, Bislimi ka kujtuar se me rëndësi është të rikujtojmë se ajo duhet të shfrytëzohet pozitivisht, e jo të keqpërdoret. Ka rregulla brenda lirisë për të udhëtuar të cilat duhen respektuar e trajtuar me përgjegjësi.
“Nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave. Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme”, ka shkruar ai në Facebook.
Bislimi më tej ka shtuar se gjithashtu edhe Elektrosever ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga sot pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it.
“Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shtoi se 3 procese kanë filluar nga sot, kurse procese të tjera do t’i ndërmarrim e zhvillojmë përgjatë vitit, gjithmonë në shërbim të interesave të të gjithë qytetarëve tanë.