Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po refuzon ta pranojë humbjen dhe po e zvarrit procesin e konstituimit të institucioneve të reja edhe pas 22 seancave të pasuksesshme të Kuvendit.
“LVV-ja nuk po e pranon humbjen. Tash dikush mund të thotë se ka dalë partia e parë, por nuk po e pranon logjikën që ka humbur. Ai [Kurti] është mësuar me atë 50 përqindëshin që e ka pasur bashkë me minoritetet, në fillim edhe me Listën Serbe”, ka deklaruar Zemaj në emisionin FIVE.
Ai ka theksuar se LVV-ja është futur në konfuzion dhe se pretendimet për numra për të zgjedhur Qeverinë nuk po përputhen me realitetin.
“Kanë deklaruar se i kanë numrat për me zgjedh kryetarin dhe Qeverinë, por kaluan 22 seanca dhe ata numra nuk duken askund”, ka shtuar Zemaj, duke thënë se nëse kanë marrëveshje me Listën Serbe, le ta bëjnë hapur dhe jo përmes votimit të fshehtë.
Zemaj ka potencuar se LDK nuk ka dashur të bëhet pjesë e një procesi që e cilëson si papërgjegjësi nga subjekti që doli i pari në zgjedhje.
Sipas tij, LDK-ja ka ofruar një zgjidhje me pika konkrete për të dalë nga kriza.
“Ne kemi dhënë përgjigje të qartë që nuk mund të qeverisim së bashku. Mendojmë që dalja nga kriza i takon gjithë spektrit politik”, ka theksuar Zemaj.
Ai gjithashtu ka hedhur poshtë idenë se kërkesa për zgjidhje të përbashkët është përpjekje për të shpërndarë përgjegjësinë.
“Ne nuk e shohim si përndarje të përgjegjësisë, por si një iniciativë të mirëpritur nëse mendohet për interes të Kosovës. Po të kishim menduar për hise në pushtet, do ta kishim pasur shumë më të lehtë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, LDK nuk vuan nga “egoja për pushtet” dhe se partia e tij nuk e sheh qeverisjen me çdo kusht si qëllim në vetvete.