Fundi i luftës duhet të jetë fitore për presidentin amerikan, Donald Trump, e jo për Vladimir Putinin, ka deklaruar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Deklarimi i Zelenskyt vjen pas thirrjeve të Trumpit që lufta mes Ukrainës dhe Rusisë duhet të përfundojë, derisa kërcënoi me sanksione Moskën nëse paqja s’arrihet së shpejti.
“Unë mendoj se çështja e përfundimit të luftës në Ukrainë duhet të jetë një fitore për Trumpin, jo për Putinin. Putini s’është askush për të. Amerika është shumë më e fortë, Evropa është shumë më e fortë, Kina është më e fortë se Rusia. Ata janë të gjithë lojtarë”, ka deklaruar Zelensky në një intervistë për Bloomberg TV.
Ai ka shtuar se lufta e Putinit ka treguar paaftësinë e Rusisë për të pushtuar tërë Ukrainën.
“Ata (rusët) janë më të mëdhenj. Kanë më tepër armatim dhe s’i kursejnë njerëzit. Ne po mbrojmë veçanërisht Evropën, vendet e NATO-s dhe Putini do të shkojë atje. Kjo është arsyeja pse Trumpi duhet të dalë në krye. Ai është i aftë të bëjë këtë”, ka shtuar ai.
Presidenti i Ukrainës tutje është shprehur se presidenti amerikan duhet të arrijë një marrëveshje që t’ia pamundësojë Putinit vijimin e agresionit.
Zelensky ka shtuar se palët duhet të kenë një plan para se të nisin diskutimet direkte me Putinin.