Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është gati të punojë me presindetin e SHBA-së, Donald Trump, për të arritur paqe afatgjatë.
“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, të premten, nuk ka shkuar siç ishte planifikuar. Është për keqardhje që u zhvillua ashtu. Është koha t’i bëjmë gjërat siç duhet. Ne do të dëshironim bashkëpunim të mëtejmë dhe komunikim konstruktiv”- ka thënë Zelensky në rrjetin social “X”.
Ai thotë se e vlerëson faktin se sa shumë ka bërë Amerika për t’i ndihmuar Ukrainës për të ruajtur sovranitetin dhe pavarësinë.“Ne e kujtojmë kohën kur gjërat kanë ndryshuar, pasi presidenti Trump na ka dhënë raketat ‘Javelin’. Jemi mirënjohës”- tha tutje ai.
Madje, siç thotë lideri ukrainas, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë në çdo kohë dhe format të përshtatshëm marrëveshjen për minerale dhe siguri.
“Ne e shohim këtë marrëveshje si hap drejt garancive më të mëdha dhe garancive solide të sigurisë, dhe unë njëmend shpresoj që do të funksionojë”- u shpreh Zelensky.
Më, 28.02.2025 takimi i presidentit Donald Trump në Zyrën Ovale me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shndërrua në arenë britmash, me liderin amerikan që i tha udhëheqësit të Ukrainës “bëni një marrëveshje ose ne tërhiqemi” derisa po flisnin me zemërim rreth natyrës së mbështetjes së SHBA-së dhe nëse Zelensky kishte treguar mjaftueshëm mirënjohje për qasjen amerikane, ka raportuar televizioni amerikan, CNN.
Udhëheqësi ukrainas kish shpresuar të apelonte për ndihmë të vazhdueshme të sigurisë nga SHBA.Para se takimi ndërmjet Trumpit dhe Zelenskyt të kthehej në një shkëmbim të nxehtë, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se ai dhe Zelensky do të nënshkruanin një marrëveshje për burimet natyrore në një konferencë për shtyp më vonë pasdite.
Gjë që nuk ndodhi pasi presidenti ukrainas u largua nga Shtëpia e Bardhë. Të hënën, më 04.03.2025, siç raporton REL një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pezulloi gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar në Zyrën Ovale.


