Arlind Manxhuka nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar sot nga portali Paparaci.com, i cili pretendon se ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërcënuar zyrtarë të lartë policorë pas një operacioni të gjerë kundër drogës, për të cilin ai nuk ishte informuar.

Artikulli i titulluar “Skandal, Sveçla kërcënon e gati sa nuk shau me nënë shefat e Policisë që nuk e informuan për megaoperacionin kundër drogës” citon burime anonime që thonë se ministri ka shprehur pakënaqësi dhe ka përdorur gjuhë kërcënuese ndaj policëve pas arrestimit të 22 personave të dyshuar për trafikim droge.
Por, sipas zëdhënësit të VV-së, Arlind Manxhuka, këto pretendime janë të pavërteta dhe skandaloze.
“Se në vendin tonë pak ka mbetur gazetari, po bindemi ditë e më shumë. Se ky artikull është një llum i vërtetë është tejet evidente,” shkroi Manxhuka në një reagim publik.
Ai theksoi se ministri Sveçla nuk ka qenë fare e as nuk është në Kosovë në kohën kur pretendohet se kanë ndodhur takimet e përshkruara në artikullin e Paparacit.
“Po më befason ministri Sveçla dhe aftësia e tij teleportuese që të jetë njëherazi edhe në Kosovë edhe jashtë saj. Pra, ministri Sveçla paska mbajtur dy takime në kohën kur ai fare nuk është e as nuk ishte në Kosovë,” shtoi Manxhuka.
Informacioni i Manxhukës mbështetet edhe nga burime të KosovaNews, të cilat konfirmojnë se ministri Sveçla ka udhëtuar jashtë vendit të hënën në mbrëmje, pikërisht para datës kur pretendohet se ka zhvilluar takime me zyrtarët policorë.
Zëdhënësi e cilësoi artikullin si një përpjekje për të diskredituar punën e institucioneve dhe një goditje të ulët ndaj figurave të caktuara politike.
“Këta janë turpi i gazetarisë dhe janë të tillë vetëm nëse ka mbetur gazetari dhe ndonjë pikë turpi,” përfundoi ai.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, portali Paparaci nuk ka ofruar ndonjë reagim apo sqarim lidhur me pretendimet për praninë e ministrit Sveçla në takimet e përmendura.
Se në vendin tonë pak ka mbetur gazetari po bindemi ditë e më shumë. Se ky artikull është një llum i vërtetë është…
Posted by Arlind Manxhuka on Thursday, June 5, 2025