Policia në Shkodër ka zbuluar një bazë armësh dhe municionesh që mbaheshin për llogari të grupeve kriminale dhe ka arrestuar pronarin e banesës ku u gjetën ato.
Në kuadër të operacionin të koduar “Baruti”, u zbulua një baze kriminale në fshatin Rrencë.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë pronari i banesës së vënë në funksion të veprimtarive kriminale, shtetasi Ç. J., 61 vjeç, me precedent për armëmbajtje pa leje.
Nga kontrolli, në ambientet e banesës u gjetën: 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator.
Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të provuar përdorimin e tyre për ngjarje kriminale.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po hetohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast.