Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se ka vendosur ta dekorojë ish të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Në këtë rast, Vuçiqi tregoi se e dekoron Grenellin pasi që ai e meriton për përkushtimin e tij ndaj Serbisë.
“Ky vendim s’ka të bëjë me Qeverinë. Është vendim i imi. Mendoj se ai ishte ndër të paktit njerëz nga SHBA-ja që ka pasur qasje më të balancuar, që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për shtetin tonë për Kosovën dhe Metohinë. Ai nuk është se mendon ndryshe nga pjesa tjetër e administratës amerikane, por ka qenë gjithmonë i gatshëm të dëgjojë palën serbe”, ka thënë Vuçiqi në një konferencë për media të mërkurën.
Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë do të nderojë individë dhe institucione nga fusha të ndryshme të jetës kulturore, ekonomike, sportive dhe shoqërore.
Kështu njoftojnë mediumet serbe të afërta me Vuçiqin. Sipas mediave serbe, përveç personaliteteve vendase presidenti Vuçiq e ka dekoruar me Urdhrin e Flamurit Serb të shkallës së parë edhe ish- të dërguarin e ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi Richard Allen Grenell çmimi do t’i ndahet nesër një ceremoni shtetërore.
Richard Grenellit , i jepet ky çmim për shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Republikës së Serbisë dhe SHBA-së transmeton KosovaNeës.
Ky është çmimi i parë në historinë e Serbisë që i ndahet një personaliteti amerikan nga një president serb.
Kujtojmë se edhe në Kosovë ish i dërguari special i presidentit të ShBA-së, Grenell ishte dekoruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale të Meritave me 21 Shtator të vitit 2020
“Jam i lumtur dhe krenar te dekoroj ambasadorin Grenell me Medaljen Presidenciale të Meritave, Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi. Grenell e arriti këtë sukses sepse besoj në përkushtimin tonë dhe nevojën tonë për këtë marrëveshje, atë që të tjerët nuk e arritën, Grenell e bëri shpejt. Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë më shumë paqe mes dy vendeve”, kishte deklaruar Thaçi para mediave.


