Presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq u tha bashkëpunëtorëve të tij se është gati të japë dorëheqje.
Sipas mediumit serb Pink, Vuçiq e ka informuar kryesinë e partisë për presionet e Perëndimit ndaj Serbisë në lidhje me Kosovën dhe menjëherë pas kësaj është larguar nga selia e partisë.
“Zyrtarë individualë u përpoqën, siç e morëm vesh, të tregoheshin të zgjuar dhe të thoshin se nuk duhet të pranojmë rastësisht negociata të mëtejshme me BE-në dhe SHBA-në”, shkruan Pink.
Duke cituar burime të paidentifikuara, Pink thotë se Vuçiq “i dëgjoi të gjitha këto me durim dhe më pas tha se do të largohej nëse dikush mendonte se mund të bënte më mirë”.
Ai tha se “nëse populli i refuzon negociatat dhe nëse dikush mendon se duhet ta shkatërrojmë vendin ekonomikisht, do t’ua lërë udhëheqjen atyre që janë më inteligjentë se ai”.
Edhe kryetari i Bordit Ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe (SNS), Darko Glishiç ka deklaruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq mund të japë dorëheqjen dhe arsyeja dyshohet se lidhet me situatën e Kosovës.
“Nëse presidenti Vuçiq qëndron në këmbë dhe jep dorëheqjen, mendoj se ky është fundi i SNS-së, fundi i karrierës që SNS pati në skenën politike të Serbisë dhe mendoj se skenari më i keq i mundshëm për Serbinë do të pasojë pas kësaj të cilën as që mund ta imagjinoj”, ka thënë ai, pas takimit kushtuar zgjidhjes së situatës në Kosovë.
Vuçiqi u takua dy ditë më parë (21 janar) me emisarët e ShBA-së dhe BE-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, takim të cilin e konsideroi si një nga ditët më vështira për Serbinë, ndërsa paralajmëroi telashe dhe probleme për vendin.
“Dje ishte një nga ditët më të vështira për vendin tonë dhe kurrë nuk kam fshehur nga njerëzit në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Ne do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen dhe për këtë na duhet unitet dhe nga ata që e prisja për shkak të përgjegjësisë që duhej të tregonin, përkatësisht përfaqësuesit tanë politikë, këtë nuk e morëm”, tha Vuçiq.


