Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të bëjë përpjekje maksimale për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ai, në një postim në Instagram, ka dhënë detaje nga biseda me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Bruksel.
“Në një bisedë jashtëzakonisht të hapur, theksova se Serbia, si palë serioze, e besueshme dhe e përgjegjshme në dialog, do të vazhdojë të bëjë përpjekje maksimale për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe përparimin e rajonit”, ka shkruar ai.
Vuçiq tha se Serbia po punon për të qetësuar tensionet dhe kërkon zgjidhje kompromisi ekskluzivisht përmes dialogut.
Në prag të takimit të nesërm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Vuçiq është takuar edhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.