Një person ka vdekur pas plagëve që ka marrë nga një armë zjarri në Prishtinë.
Vdekja e tij erdhi si pasojë e plagosjes që ka ndodhur sot rreth orës 10:30 në lagjen Kolovicë të Prishtinës.
Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, viktima e këtij rasti, F.B., nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë.
“Viktima e këtij rasti F.B. mashkull, nuk ka arritur të përballoj plagët e shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, tha Ahmeti për Express.
Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person dhe ka sekuestruar një armë gjuetie që dyshohet të jetë përdor në rast.
“Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, shtoi Ahmeti.
Rastin më parë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve te Renda është njoftuar nga policia për një rast qe ka ndodhur sot ne Kolovicë, me ç’ rast e njëjta i është përgjigjur vendit të ngjarjes bashkë me njësitë e tjera relevante. Një person ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një arme zjarri, ku me urdhër te prokurorit është dërguar ne IML për obduksion, derisa një person tjetër është shoqëruar në stacion policor”, tha Ulaj.
Sipas saj, Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore nga vendi i ngjarjes me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave të këtij rasti./KosovaNews/