Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për vrasjen e djeshme në lokalin “Kobra City” në Prizren, ku janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre edhe pronari i lokalit Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”.
Lajmi u bë i ditur përmes raportit 24 orësh të policisë, ku thuhet se shkëmbimi i zjarrit nisi në lokal.
“Është raportuar se, nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, kurse në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe tri gëzhoja.
“Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja”, thuhet tutje.
Bëhet e ditur se njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturës së viktimës.
“Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, njofton policia.


