Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda është shtyrë shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Xhafer dhe Amir Bardhi, babë e bir po akuzohen se si rezultat i një mosmarrëveshje pronësore kanë privuar nga jeta të miturin A.M, 15- vjeçar dhe prindin e tij B.M.
Shqyrtimi i sotëm gjyqësor, u shty për shkak të mungesës së të dëmtuarve/dëshmitarëve S.M, V.M, D.M, V.M dhe dëshmitarit të rastit F.B.
Për mungesën e tyre, kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi konstatoi se për të njëjtit deri tani fletë kthesat nuk i janë kthyer gjykatës dhe nuk dihet nëse i kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt apo jo.
Të njëjtit do ftohen me ftesa të rregullta për seancën e radhës e cila u caktua më 26 shtator të këtij viti.
Përkundër mungesës së tyre, në seancën e sotme të pranishëm ishin prokurori, Bashkim Zeqaj si dhe dy të akuzuarit Xhafer dhe Amir Bardhi.


