Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë që Rusia ta fitojë luftën në Ukrainë, pavarësisht se çfarë ndodh në Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve presidenciale, ka thënë të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raportoi “Euronews”.
Para deputetëve të Parlamentit Evropian, Von der Leyeni ka thënë se Evropa nuk e ka luksin e rehatisë në lidhje me këtë çështje.
“Nuk e kemi kontrollin e zgjedhjeve apo vendimeve në pjesë të tjera të botës. Thjesht nuk kemi kohë për ta anashkaluar çështjen. Me ose pa mbështetjen e partnerëve tanë, nuk mund ta lëmë Rusinë të fitojë. Kostoja e pasigurisë – kostoja e një fitoreje ruse – është shumë më e madhe se çdo kursim që mund të bëjmë tani”, ka thënë ajo.
Kërkesa e saj vjen pas komenteve të bëra nga Donald Trumpi, kandidati kryesor republikan, i cili tha hapur se do të “inkurajonte Rusinë të bënte çfarë të dojë kundër vendeve të NATO-s që nuk arrijnë t’i kryejnë shpenzimet e mbrojtjes”.
Në fjalimin e saj në Strasburg, Von der Leyen tha se Evropa ka jetuar nën iluzionin se paqja është e përhershme.
“Kontinenti duhet të jetë gati për luftë. Kërcënimi i luftës mund të mos jetë afër, por nuk është i pamundur”, ka shtuar ajo.