Subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë detaje mbi vizitën e kryetarit të saj dhe njëhetit kryeministrit të vendit, Albin Kurti në Berlin të Gjermanisë.
Në një njoftim për medie që ka lëshuar Vetëvendosje thuhet se kryeministri Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh gjatë qëndrimit në Gjermani, ku po merr pjesë në Kongresin e 30-të jubilar të Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë – PES Congress 2022
“Me guxim. Për Evropën – është slogani i Kongresit të 30-të jubilar të Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë – PES Congress 2022 ku mori pjesë Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti. Kryeministri, njëherit Kryetari i LV-së, Albin Kurti, gjatë Kongresit në Berlin takoi deputetë, ministra e liderë të partive socialdemokrate me ç’rast Stefan Löfvenin, Presidentin e ri të PES, e uroi për këtë pozitë dhe Sergei Stanischeëin për kontributin e tij si President i deritanishëm”, thuhet ne njoftim.
Tutje theksohet se gjatë Kongresit, Kryetari Kurti u takua edhe me Lars Klingbeil, bashkëdrejtues i Partisë Social Demokrate gjermane me të cilin diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit midis subjekteve tona politike dhe atij rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.
Ndërkaq, në përmbyllje të Kongresit, Kryetari Kurti mori pjesë në darkën e liderëve, krahas prijësve të shteteve dhe qeverive evropiane, komisionerëve evropianë, udhëheqësve të partive dhe përfaqësuesve të tjerë nga kontinenti ynë.
“Në këtë kongres të partive socialdemokrate, me të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! është e afiliuar tema të diskutimit ndër të tjera ishin politikat si përgjigje ndaj ndryshimeve në sigurinë ndërkombëtare, rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin, krizën e shkaktuar nga Covid, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale në Evropë”, thuhet nga Lëvizja Vetëvendosje.