Tush Frroku, i dyshuar për vrasjen e ndodhur më 7 gusht 2023 në një lokal në Klinë, është vetëdorëzuar në Polici.
Lajmin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Nikçi tha se prokurori fillimisht do të bëjë kërkesën për ndalim 48 orësh, ndërsa më pas atë për masën e paraburgimit.
Që nga 7 gushti 2023, Policia e Kosovës, e kishte shpallur në kërkim të dyshuarin Frroku, për vrasjen e ndodhur nё rrugën “Leonard Palucaj”- Klinё, më 7 gusht 2023. Policia kishte njoftuar se i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur më pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit, shkruan Betimi për Drejtësi.
Policia ishte vënë në ndjekje të tij dhe në fshatin Kosh të Istogut është gjetur vetura e braktisur.
Ndryshe, viktima fillimisht ishte plagosur, por kishte ndërruar më pas jetë në Qëndrën e Mjekësisë Famljare në Klinë.
“Me vendim tё prokurorit tё shtetit trupi i pajetë i viktimёs dërgohet ne institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё pёr obduksion”, thuhej në njoftimin e Policisë.


