Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë iu uroi punë të mbarë ministrave, duke i bërë edhe disa premtime dhe ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të punohet më shumë e të arrihen rezultate më të mëdha këtë vit.
Kurti tha se viti 2023 do të jetë më shumë për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë e kulturën.
Paraprakisht, kryeministri tha se rezultatet e vitit paraprak duhet të jenë minimumi i rezultateve të Qeverisë këtë vit.
“Angazhimi, puna dhe rezultatet në vitin 2022 duhet të jenë minimumi i angazhimit, punës dhe rezultateve të vitit 2023. Le të vazhdojmë pra garën me veten, me bindjen se potenciali ynë është më i madh sesa aktualiteti”, tha ai.
Sipas kryeministrit, Qeveria e ka nisur mbarë këtë vit dhe se “sfidave do ju japim përgjigje”.
“Ja kemi filluar mbarë që në ditën e tretë të vitit. Realizuam premtimin për shtesat e fëmijëve deri në moshën 16-vjeçare. E në mbledhjen e parë për këtë vit kemi në rend dite Projektligjin për Investime të Qëndrueshme. Në bazë të kësaj ne synojmë të tërheqim investimet, vendosim bazën për përkrahjen e industrisë vendore, punësimin e qëndrueshëm, të fuqizojmë rininë dhe gratë si dhe të thellojmë lidhjen me mërgatën”, tha ai.
Aktualisht kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për Investime të Qëndrueshme (MINT), mandej Projektligjin për Parqet Industriale dhe Teknologjike (MINT).
Po ashtu qeveria e ka shqyrtuar Propozim-vendimit për Masat Emergjente në Furnizimin me Energji (ME), si dhe Draftin e Strategjisë së Transportit Multimodal për vitet 2023-2030 (MMPHII).
Njëjtë është miratuar edhe Drafti i Koncept-dokumentit për Fushën e Automjeteve (MMPH), si dhe Propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për promovimin e Librit “Reçaku” (ZKM.)
Me propozim të kryeministrit Kurti është shqyrtuar edhe propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Fondacionin Amerikano-Kosovar për Edukim .
Po ashtu janë ndarë edhe mjete financiare për për mbajtjen e Forumit të Investimeve, si dhe për Fondacionin Shqiptaro- Amerikan për promovimin e vendit.
Qeveria ka bërë edhe shqyrtimin e propozim-vendimit për emërimin e drejtorëve të Bordit të Kompanisë Rajonale në mandat tre vjeçar./KosovaNews