Në ambientet e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar procesi i rekrutimit të dy kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku siç ishte paraparë, sot është bërë intervistomi i të 5 kandidatëve të nominuar.
Kandidatët u përgjigjen ne pyetjet e përgatitura nga anëtarët e komisionit të posaçëm, në përbërje Adnan Rrustmei, Driton Selmanaj, Mimoza Kusari-Lila, Abelart Tahiri, Pal Lekaj, Enis Kervan, Albert Zogaj, Naim Qelaj, Agim Ferati dhe Gresa Caka-Nimani.
Procesi i intervistimit ka qenë i njëjtë për të gjithë kandidatët ku në fillim kryetari i komisionit, deputeti Adnan Rrustemi, u dha mundësinë e paraqitjes së motivit dhe vizionit të tyre lidhur me pozitën për të cilën kishin aplikuar.
Tutje, kandidatëve të nominuar u parashtroheshin nga tre pyetje, të cilat pasoheshin me nën pyetje, varësisht nga përgjigjja që jepte kandidati.
Në fund, pas procesit të poentimit dhe renditjes, komisioni vendosi që të gjithë emrat e kandidatëve të dërgohen në Kuvend për votim.
Ndryshe, kandidatët i ishin nënshtruar testimit me shkrim me 17 tetor 2022.
Procesi për emërimin e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka dështuar dy herë radhazi, si mungesë e votave të mjaftueshme në procesin e votimit në dhjetor të vitit 2021 dhe maj të këtij viti.
Komisioni i Posaçëm për këtë çështje, kishte shpallur konkursin publik për herë të tretë në shtator të këtij viti, me ç‘rast u nonimuan gjashtë persona për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, do ta monitorojë në tërësi procesin e përzgjedhjes së dy gjyqtarëve, gjetjet e të cilit do t’i publikojë me rastin e votimit në Kuvendin e Kosovës


