Objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë, ku në mesin e tyre janë edhe pronat e dy vëllezërve të ish- presidentit Hashim Thaçi, janë sekuestruar gjatë ditës së djeshme. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është duke vazhduar aksioni edhe sot (e mërkurë) lidhur me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në “Brezovicë”, përkatësisht te Parku Kombëtar “Sharri”.
Në mëngjesin e ditës së djeshme, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë, zhvilloi një aksion të madh të sekuestrimit të vilave dhe shtëpive multimilionëshe, të cilat u ndërtuan në mënyrë të jashtëligjshme për vite të tëra në Parkun Nacional të Sharrit në Brezovicë.
Gjatë këtij aksioni, policia, me urdhër të prokurorisë, ka sekuestruar rreth 100 objekte, ku përfshihen vila, vikendshtëpiza të përfunduara dhe ato në ndërtim e sipër.
Sipas burimeve të konfirmuara të KosovaNews brenda Policisë së Kosovës, të paktën dy vila u janë sekuestruar dy vëllezërve të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar sot (e mërkurë) se është duke vazhduar aksioni lidhur me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në “Brezovicë”, përkatësisht te Parku Kombëtar “Sharri”.
Siç ka thënë Prokuroria raportet dëshmojnë se në Zonën II në Parkun Kombëtar “Sharri”, janë ndërtuar rreth 100 objekte në kundërshtim me ligjin.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë edhe sot janë duke vazhduar aksionin lidhur me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”. Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, vërtetojnë se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.


