Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale – Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO-ja, KFOR-i, kanë marrë pjesë në një ceremoni donacioni në stacionin e Policisë së Kosovës në Kamenicë.
Donacionet e bëra nga KFOR-i për Policinë e Kosovës siç thuhet, kanë mundësuar përmirësimin e dhomave familjare që mbështesin viktimat e dhunës në familje. Ky investim synon të krijojë një ambient më të sigurt dhe më të përshtatshëm për rimëkëmbjen e viktimave.
“Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të ekipit për bashkëpunim civil-ushtarak të KFOR-it për të mbështetur të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si edhe për të siguruar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Facebook.