Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se, për shkak të reshjeve të shumta atmosferike, uji ka depërtuar në bodrumin e Klinikës së Onkologjisë, ku ndodhet aparatura e Radioterapisë.
“Ekipet e Klinikës së Onkologjisë, bashkë me sektorin teknik dhe atë të pajisjeve mjekësore të QKUK-së, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke shkyçur nga puna aparaturën e radioterapisë, me qëllim të parandalimit të pasojave të pa paparashikueshme”, shkruan në komunikatën e QKUK-së.
Më tej theksohet se në ndihmë kanë shkuar edhe ekipi zjarrfikësve dhe shërbimeve komunale të cilët kanë asistuar gjatë gjithë kohës.
“Aparatura e Radioterapisë për momentin është jashtë funksionit, kurse shërbimet e tjera në Klinikën e Onkologjisë po ofrohen normalisht”.
QKUK deklaron se ekipi i kontraktuar për mirëmbajtje të aparaturës mjekësore është duke analizuar situatën e aparaturës së radioterapisë dhe bazuar në vlerësimin final dhe testimet e nevojshme, Kolegjiumi i Klinikës së Onkologjisë do të dalë me rekomandime, se si do veprohet më tutje me trajtimin e rasteve në radioterapi./rtk/