Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit tre të miturve që dyshohet se dhunuan 11-vjeçaren në gusht të këtij viti në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Laureta Ulaj.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 22 nëntor 2022 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria e Shtetit për vazhdimin e paraburgimit ndaj tre të miturve. Me të njëjtën datë, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka marr aktvendim që tre të miturve të ju vazhdohet paraburgimi edhe për nga 60 ditë, për secilin”, ka thënë Ulaj.
Ajo tutje ka bërë të ditur se dy të dyshuarit tjerë E.R dhe Sh.K gjenden nën masën e paraburgimit deri me datë 28.11.2022, të vazhduar sipas aktvendimit të fundit nga gjykata.
“Deri më tani gjykata nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e masës së paraburgimit”, ka deklaruar Ulaj.


