Në fundin e muajit prill, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u nis drejt Floridës me një axhendë që, sipas mediave proqeveritare në Beograd, parashikonte takime me figura kyçe të Partisë Republikane dhe, në mënyrë të veçantë, një takim me Donald Trump. Ajo që fillimisht u prezantua si një ofensivë diplomatike me përmasa strategjike, përfundoi si një udhëtim i braktisur në mes, një fluturim urgjent për në Beograd dhe, sipas burimeve të shumta të konfirmuara për The Gunpowder Chronicles, një refuzim i ftohtë nga kampi i Trumpit.
Serbia mund ta quajë këtë një incident diplomatik. Por për publikun shqiptar, ky moment është më shumë se një dështim personal i Vuçiqit, është një xham zmadhues mbi rrjetin e ndikimit të pretenduar të Richard Grenell në rajon, një rrjet që po del të jetë më shumë mashtrim se realitet. Grenell, ish-emisari i posaçëm i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, po tregohet gjithnjë e më shumë si një figurë e padëshiruar në Uashington, ndërsa vazhdon të përfitojë nga struktura të dobësuara politike dhe biznesore në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd.
Një takim që nuk ndodhi kurrë
Sipas një burimi të afërt me organizatorët e vizitës në Florida, Vuçiq kishte synuar një fotografi me Trumpin si një mesazh i qartë për Brukselin dhe një parapërgatitje për një vizitë të mundshme në Moskë. Por, sipas të njëjtit burim, “edhe nëse do të ishte gjysmë i vdekur, Vuçiq do ta kishte takuar Trumpin po t’i jepej mundësia.” Por, kjo mundësi nuk iu dha.
Donald Trump, thuhet se refuzoi kategorikisht çdo kontakt me Vuçiqin, pasi ishte informuar nga bashkëpunëtorët më të afërt për rënien e reputacionit të presidentit serb në Ballkan. Më e rëndësishmja: Trump ishte paralajmëruar nga Moska që Vuçiq nuk ishte më një partner i besueshëm.
Në qendër të këtyre përpjekjeve për ndërmjetësim ishte vetë Richard Grenell, si dhe djali i Trumpit, Donald Jr. Burime diplomatike thonë se përpjekjet e tyre për të organizuar një takim ranë në vesh të shurdhët, jo vetëm sepse Vuçiq ishte politikisht i konsumuar, por edhe sepse Grenell nuk ka më ndikim real në qendrat e vendimmarrjes në Uashington.
Një rrjet i rrënuar ndikimi
Grenell s’ka më ndikim në Uashington, por vazhdon të shesë mashtrime të paketuara si diplomaci në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd. — Vudi Xhymshiti.
Që nga përfundimi i mandatit të parë të Trumpit, Grenell ka mbetur pa funksion zyrtar në politikën amerikane, por ka vazhduar të paraqitet si një “kingmaker” [Mbret-bërës] në Ballkan. Në Prishtinë, ai ende kultivohet nga figura politike që kërkojnë legjitimitet ndërkombëtar, ndërsa në Tiranë dhe Beograd është frekuentues i zakonshëm i qarqeve të biznesit të dyshimtë. Por dokumentet dhe mesazhet e dala në dritë së fundmi zbulojnë një realitet ndryshe.
Mesazhe të rrjedhura të WhatsApp-it ndërmjet Grenell dhe gazetarit kosovar Berat Buzhala tregojnë koordinim të drejtpërdrejtë për përhapjen e dezinformimit zgjedhor1. Ndërkohë, raportime nga The Washington Post, ProPublica dhe Der Spiegel kanë ekspozuar lidhje financiare të Grenell me figura ruse si oligarku moldav Vladimir Plahotniuc dhe rrjete ultranacionaliste hungareze, për të cilat Grenell nuk ka bërë deklarime ligjore sipas Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA). Ekspertë të sigurisë kombëtare në SHBA thonë se këto lidhje do të duhej ta përjashtonin nga çdo funksion publik i mundshëm në të ardhmen. Dhe kjo tashmë ka ndodhur: Richard Grenell është degraduar nga posti i drejtorit të shërbimit kombëtar të inteligjencës në administratën e parë të Presidentit Trump, në një pozitë të përkohshme si drejtor i një qendre kulturore në Washington dhe menaxhues i fondeve për shuarjen e zjarreve në mandatin e dytë të Presidentit Trump.
Në këtë kontekst, udhëtimi i Vuçiqit në Florida shihet si përpjekje për të ringjallur një aleancë të diskretituar. Por ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta: Trump nuk kishte asnjë interes për t’u fotografuar me një lider që perceptohet gjithnjë e më shumë si i pashpresë dhe i përlyer.
Nga Beogradi në Tiranë dhe Prishtinë: ndikimi i rremë i Grenell
Në Shqipëri, emri i Grenell përmendet shpesh nga politikanë të afërt me kampin Berisha-Meta, ku ai konsiderohet një “mik i madh i Shqipërisë.” Por ky “mik” nuk ka më asnjë qasje në korridoret e pushtetit amerikan dhe përdor imazhin e Trumpit për të siguruar pagesa të errëta nga aktorë lokalë. Në Kosovë, aleancat e tij të kalbura me figura të zhytura në krim të organizuar, vrasje politike dhe grabitje sistematike të parasë publike po shemben një nga një, ndërsa qeveria e Albin Kurtit vazhdon të forcojë boshtin e saj politik përmes një partneriteti të qëndrueshëm me Brukselin, Londrën dhe Uashingtonin zyrtar.
Në Beograd, Vuçiq i është kthyer retorikës së viktimës. RTS raportoi vetëm për “probleme shëndetësore,” por asnjë deklaratë zyrtare nuk është bërë mbi natyrën e saktë të këtyre problemeve. Ndërkohë, opozita në Serbi e ka quajtur këtë vizitë “një fiasko totale” dhe një “përulje publike.”
Dështimi i një strategjie dhe fundi i një miti
Vuçiq, i cili për vite të tëra ka manovruar me kujdes mes Lindjes dhe Perëndimit, sot gjendet në një pozitë të izoluar. Rusia e sheh me dyshim, Perëndimi duket se është lodhur me lojërat e tij të dyfishta, ndërsa aleatët që dikur i ofronin mbështetje si i stolisuri me ‘Urdhërin e Flamurit të Serbisë’ Richard Grenell, janë të diskredituar dhe të braktisur nga skena e vërtetë globale.
Udhëtimi në Florida nuk ishte vetëm një gabim diplomatik. Ishte një moment zbulimi. Një dritë e ashpër mbi rrjetet e rreme të ndikimit që kanë përfituar nga paqartësitë politike të Ballkanit dhe dëshirat e liderëve autoritarë për legjitimitet ndërkombëtar të shpejtë. Por në këtë epokë të transparencës së imponuar, as fotografia me Trumpin dhe as ndërhyrjet e Grenellit duket qartë se nuk janë më monedhë e vlefshme.