Policia e Kosovës njofton se gjatë të martës janë raportuar tri sulme ndaj Policisë në dy komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën veriore dhe në Leposaviq.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti i parë ishte gjatë aksionit për arrestimin e Milun Milenkoviq – Llune, ku pësoi lëndime një polic.
Lëndime thuhet se mori edhe i dyshuari.
Policia njofton se pas operacionit, një turmë e personave kanë sulmuar me mjete të forta veturat e policisë, ku janë lënduar tre policë dhe janë dëmtuar tri vetura.
Ndërsa, në rastin e dytë në veri të Mitrovicës, thuhet se rreth orës 18:40, është raportuar për një sulm tjetër ndaj zyrtarëve policorë, ku katër zyrtarë policorë janë sulmuar me gurë nga persona të panjohur.
Nuk është raportuar për lëndime, por është dëmtuar vetura e Policisë.
Kurse, në rastin në Leposaviq, thuhet se rreth orës 9:15, dy vetura të Policisë, që ishin duke e përcjellë ministrin Liburn Aliu për në Komunën e Leposaviqit, u sulmuan me vezë dhe me ngjyrë.
Bëhet e ditur se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet.


