Trepça është finalistja e parë e Superligës së Kosovës në basketboll, pasi eliminoi Sigal Prishtinën me rezultat serik 3:1. Kampionia në fuqi e mbylli gjysmëfinalen të mërkurën mbrëma me fitore 84:80 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Mitrovicasit patën një paraqitje të sigurt dhe të pjekur, duke konfirmuar formën e mirë që i ka karakterizuar gjatë gjithë edicionit. Ata tashmë kanë siguruar vendin në finale, ku do të përballen me fituesin e çiftit Bashkimi – Peja.
Ndeshja nisi me epërsi të lehtë për Prishtinën, por shumë shpejt Trepça mori kontrollin. Çereku i parë përfundoi 29:18 për xehetarët. Prishtina u rikthye në çerekun e dytë, duke e fituar atë 27:19, por nuk arriti ta përmbysë rezultatin. Në pushim, Trepça kishte epërsi 48:45.
Pjesa e dytë u karakterizua me qetësi nga ana e mitrovicasve. Çereku i tretë ishte i ulët në rezultat, 10:9 për Trepçën, ndërsa në fund Prishtina tentoi përmbysjen, por pa sukses. Donte Clark dhe Drilon Hajrizi realizuan gjuajtje të sigurta në fund për të vulosur fitoren.
Tekele Cotton dhe Michael Myers shkëlqyen sërish për Trepçën. Të dy shënuan nga 18 pikë. Cotton kontribuoi edhe me 7 kërcime dhe 7 asistime, ndërsa Myers shtoi 15 kërcime dhe 2 asistime. Drilon Hajrizi realizoi 13 pikë, ndërsa Erjon Kastrati dhe Michael Green kontribuan me 11 dhe 8 pikë.
Te Prishtina, Ricky Tarrant ishte më efikasi me 16 pikë, ndërsa Rashid Mahalbashiq shtoi 11 pikë, 8 kërcime dhe 4 asistime. Prishtina eliminoi Vëllaznimin në çerekfinale, por nuk arriti të ndalte Trepçën në gjysmëfinale.
Trepça tashmë ka fituar Kupën e Kosovës dhe Superkupën në këtë edicion, dhe në finale do ta synojë titullin e kampionit për të kompletuar tripletën historike.