Nga sot 1 qershor, bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha për Telegrafin se disa nga konsumatorët kanë lidhur kontrata, ndërsa ata që nuk kanë arritur kanë kaluar direkt në treg të lirë.
Fejzullahu theksoi se të njëjtit që skanë lidhur kontrata me ligj iu takon të furnizohen 60 ditë nga KEK.
“Me ligj ata që s’kanë lidh kontratë për 60 ditë e ka me KEK-un. Një pjesë kanë gjet kontratë me KEK-un, furnizuesit komercial një pjesë me KESCO-n. Por të gjithë ata që nuk kanë gjet kontratë kanë dalë në treg të lirë”, tha Fejzullahu.
Nga vendimi i liberalizimit të tregut të energjisë do të preken rreth 1,300 biznese.
Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.
Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.
Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit,(FMF) por me çmime të përcaktuara nga tregu.