Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në dy raste të ndara për falsifikim parash dhe për blerje, posedim, shpërndarje e shitje të paautorizuar të narkotikëve. Arrestimet kanë ndodhur të enjten në Prishtinë dhe Gjakovë.
Lidhur me falsifikimin e parasë, Policia ka njoftuar se një 35-vjeçare me inicialet N.B., është arrestuar falë bashkëpunimit me qytetarë.
“Falsifikim i parasë: Falë bashkëpunimit me qytetarë, hetuesit policorë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit–Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, më 06.04.2023, kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova se e dyshuara N.B., (viti i lindjes 1987, femër kosovare), ka tentuar të bëjë shpërndarjen e një sasie të parave të falsifikuara”, thuhet në njoftim.
Më tej është bërë e ditur se në çantën e të dyshuarës janë gjetur 47 kartëmonedha nga 100 euro që dyshohet se janë të falsifikuara, si dhe një elektroshok.
Ndërsa në rrugën Ponoshec-Gjakovë, janë arrestuar dy persona, shtetas të Shqipërisë, nën dyshimin se u janë gjetur rreth 5 kilogramë marihuanë gjatë kontrollit nga policia.
“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge: Gjatë realizimit të detyrave policore, policia e rajonit të Gjakovës, sonte rreth orës 20:30 në rrugën Ponoshec-Gjakovë ka ndaluar për kontroll një veturë me targa të Shqipërisë. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur rreth 5 kg substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Policia ka arrestuar dy të dyshuar, shtetas të Shqipërisë. Rastin janë duke e trajtuar njësitet përkatëse policore”, ka njoftuar Policia.


