Trafikonin armë nga Shqipëria drejt Anglisë/ Tiranë, arrestohen dy persona, shpallet në kërkim një tjetër
Policia e Tiranës, ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi trafikonin armë nga Shqipëria drejt Anglisë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri me silenciator, nëpërmjet kamionit të një personi i cili nuk kishte dijeni për armën që ndodhej në brendësi të televizorit.
Policia sekuestroi 1 armën e zjarri pistoletë me silenciator.
“Në vendin e quajtur “Bulevardi i ri”, në Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, kanë ushtruar kontroll në një kamion që dyshohej se disa shtetas kishin fshehur një armë zjarri për ta trafikuar. Nga kontrolli në brendësi të një televizori, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit me silenciator, të ndarë në pjesë. Në vijim të operacionit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u arrestuan shtetasit J. S., 26 vjeç, dhe S. M., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. A., 20 vjeç, të tre banues në Shkodër”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


