Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të pandehurve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Këta persona dyshohen për dhunim, trafikim dhe kryerje të shërbimeve seksuale ndaj viktimës së trafikimit me iniciale K.B.
Prokuroria ka njoftuar se të pandehurit A.K., M.Q., dhe R.K., akuzohen për kryerjen e veprës penale “Trafikim me njerëz“ nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit E.B., dhe M.Q., akuzohen për kryerjen e veprës penale “Dhunimi“ nga neni 227 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 pika 3.3 lidhur me paragrafin 4 pika 4.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, të pandehurit të tjerë A.Q., dhe H.Z., akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit“, nga neni 228 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga gjykata që gjashtë të pandehurit të i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.