Deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi ka mohuar deklarata e bëra nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila ka thënë se është fyer, sharë, e shtyer nga deputeti në fjalë.
“Sot, për herë të parë në jetën time politike, jam fyer, sharë, shtyrë dhe, do të isha edhe e goditur nga deputeti i Vetëvendosjes Halil Thaçi, sikur të mos kisha mbrojtjen e kolegëve deputetë të PDK-së. Asnjëherë nuk jam ndier kaq e rrezikuar dhe e goditur si deputete, si grua e si nënë, në të gjitha vitet e mija në shërbim të këtij vendi”, ka thënë Deliu-Kodra.
Një gjë të tillë, e ka kundërshtuar deputeti Thaçi duke thënë se kurrë nuk ka sharë e as ka goditur një grua dhe se deklaratën e saj e ka quajtur shpifje.
Tutje, Thaçi tha se dëshpërimi për të dalë nga kjo situatë nuk mbulohet me shpifje dhe se drejtësia do ta hetojë secilin.
Postimi i plotë:
“Edhe sulmojnë edhe shpifin!
Banda e PDK-së përmes deputetes Blerta Deliu paska shpifur kinse unë paskam dashur ta sulmojë deputeten Deliu-Kodra. E gërditshme përbesë. Kjo nuk është e vërtetë, dhe lehtësisht mund të vërtetohet nga dhjetra kamera prezente në sallë.
Unë Halil Thaçi kurrë në jetën time nuk kam sharë e lere më të godas ndonjë grua. Banditët e grushtave i pa e gjithë Kosova. Dëshpërimi për të dalë nga kjo situatë nuk mbulohet me shpifje.
Drejtësia do ta hetojë secilin. Dhunuesit do të japin llogari për këtë shëmti që ndodhi sot në Kuvend.”, ka shkruar Thaqi në facebook.


