Kompania amerikane e automjeteve, Tesla, ka ulur çmimet fillestare për veturat e saj Model 3 dhe Model Y deri në 9 për qind në Kinë, shkroi të hënën Reuters.
Uljet e çmimeve të publikuara në faqen e internetit të gjigantit të automjeteve elektrike, janë të parat në Kinë në vitin 2022.
Aksionet e firmës me bazë në Austin, ranë për 3.3 për qind.
Këto ulje të çmimeve janë shënuar po ashtu pas komentit të shefit ekzekutiv të Teslas, Elon Musk, javën e kaluar se një lloj recesioni është duke u zhvilluar në Kinë dhe Evropë.
Musk ka thënë se kërkesa ishte e fortë në tremujorin aktual dhe se pret që Tesla të jetë rezistente ndaj recesionit.
Sipas “China Merchants Bank International (CMBI), uljet e çmimeve të Teslas paraqesin rrezik për prodhuesit e tjerë të automjeteve elektrike.
“Uljet e çmimeve nënvizojnë luftën e mundshme të tyre, të cilën ne e kemi theksuar që nga gushti”, thuhet në deklaratën e CMBI-së.
Tesla ka ulur çmimet në Kinë vitin e kaluar në një përpjekje për të qenë më konkurrues në vend, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, prodhuesi i automjeteve elektrike ka rritur çmimet për shkak të kostos më të lartë të lëndëve të para.