Me produkte farmaceutike e kozmetike në vlerë rreth 3 mijë e 300 euro një person kishte tentuar t’i shmangej pikës së kontrollit në pikën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë, në Vermicë, derisa po hynte në territorin e Kosovës.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në momentin e ndalimit, personi kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim.
“Megjithatë, gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit janë zbuluar mallra të padeklaruara, të ndara në disa pako pa fatura dhe dokumentacion përkatës. Mallrat e padeklaruara përfshijnë produkte kozmetike dhe estetike, si dhe produkte farmaceutike si: Kremra për kujdes të lëkurës, serume, peeling dhe tonera, solucione për trajtime dermo-estetike, filler për buzë dhe fytyrë, pajisje për microneedling dhe derma roller, vitamina dhe suplemente (Vitamin D3, Devit, Feroven), solucione injektuese të ndryshme, produkte për trajtim të flokëve. Shuma totale e mallrave arrin vlerën prej rreth 3,300 euro”, njofton Dogana e Kosovës.
Kanë bërë të ditur se ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas nenit 244 te Kodit doganor dhe të Akcizës së Kosovës, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave të mëtejme.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit kufitar dhe zbatimin e ligjit për të parandaluar kontrabandën dhe shmangien nga detyrimet doganore”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për medie.


