Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandon që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 03 – 10 korrik 2025.
Në njoftimin për media thuhet se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.
“Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, IKSHPK në vazhdimësi ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në ditët e nxehta.
Kontinenti evropian po përjeton temperatura jashtëzakonisht të larta, një fenomen që agjencia e klimës e OKB-së tha se po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë për shkak të “ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”.
Vala e të nxehtit ekstreme ka përfshirë disa shtete, duke çuar temperaturat mbi 40 gradë Celsius dhe duke shkaktuar pasiguri për shëndetin publik dhe mjedisin.