Të shtëna me armë zjarri janë raportuar të kenë ndodhur sot në një shkollë të mesme në Iowa, e deri më tani policia amerikane ka thënë se ka “viktima të shumta”, raporton BBC.
Me aq sa dihet deri më tani, të shtënat në shkollën e mesme “Perry” u raportuan në orën 7:37, e Policia ka thënë se nuk ka rrezik të mëtejshëm për publikun.
Ngjarja ka ndodhur para se shumica e nxënësve të arrinin në objektin shkollor, përderisa sot është dita e parë e kthimit në shkollë pas pushimeve dimërore.
Sherifi i Qarkut Dallas, Adam Infante, tha se policët arritën në vendin e ngjarjes brenda shtatë minutave, e se aty u gjetën viktima të shumta të qëlluara me armë zjarri. Sherifi tha se ende nuk dihet nëse ka ndonjë të vrarë apo cila është shkalla e lëndimeve që pësuan viktimat.
Ai nuk pati një informacion të saktë se sa është numri i saktë i viktimave. Po ashtu, ai tregoi se sulmuesi është identifikuar.Në vendin e ngjarjes janë parë edhe agjentët e FBI-së.


