Dy vëllezër janë konfliktuar me njëri-tjetrin në zonën e plazhit në Radhimë të Vlorës. Konflikti mes tyre ka degjeneruar në të shtëna me armë zjarri çka ka frikësuar pushuesit në plazh, por fatmirësisht pa të lënduar.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në plazh, mes kilometrit 7-8 në aksin Vlorë Radhimë.
Gazetarja Ebrieta Maçaj raportoi se Eduard Kondi ka qëlluar me armë 5 deri në 6 herë në drejtim të vëllait të tij, Beniamin Kondi, në parkingun e zonës së plazhit që ata administrojnë. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Autori është arrestuar pak minuta më vonë nga Policia në një banesë në zonën e Lungomares.
Autori i ngjarjes është kthyer dje nga Anglia. Ai me vëllain e tij kanë pasur një tjetër debat ditën e djeshme.
Nuk dihen detaje të tjera për ngjarjen dhe pritet marrja e dëshmive të dy vëllezërve.
Policia ka rrethuar zonën, ndërkohë pushuesit janë larguar të frikësuar nga plazhi. /Euronews Albania/