Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës. Prezent në seancës ishin avokatët e tyre, por jo edhe të akuzuarit, pasi autoritetet kosovare nuk kanë arritur ta sigurojnë vendndodhjen e tyre.
I dyshuari kryesor është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.
Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ilir Morina kërkoi që për këtë rast të zhvillohet gjykimi në mungesë, pasi janë shtjerr të gjitha përpjekjet procedurale ligjore për sigurimin e prezencës së të akuzuarve.
Morina tregoi se gjyqtari i procedurës paraprake më datën 10 mars 2020, ka lëshuar fletërreshtim ndërkombëtar për 18 të akuzuarit, ndërsa për 35 të tjerët e lëshoi fletërreshtimin ndërkombëtarë më 01.10.2023.
Gjyqtarja në këtë rast, Violeta Nimani tha se meqenëse nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e të akuzuarve dhe janë plotësuar kushtet ligjore, ky gjykim do të zhvillohet në mungesë.
“Të pandehurit nuk prezantojnë në gjykatë, për të njëjtët Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti special më datën 15.04. 2025 në gazetën zyrtare në ëeb faqen e Prokurorit të Shtetit dhe Gjykatës ka publikuar ftesën për seancë së bashku me aktakuzën e ndryshuar dhe përmes ftesës ka ftuar të lartëcekurit me të dhënat personat si në shkresat e lëndës që të marrin pjesë në seancën fillestare…Në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile e sanksionua….Gjykata konstaton se në këtë seancë nuk janë prezent asnjë nga të akuzuarit e lartëcekur dhe nuk kemi asnjë informacion nga ndonjë person apo Policia për vendndodhjen e këtyre të pandehurve, ndaj të njëjtëve janë aktiv urdhërarrest ndërkombëtarë… Gjykata konform nenit 303 para 4 i Kodit të Procedurës Penale, merr aktvendim të mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve Momir Stojanoviq e të tjerë për shkak se janë plotësuar kushtet ligjore”, tha ajo.
Në seancën e sotme të shqyrtimit fillestar për 53 të akuzuarit për masakrën e Mejes dhe vrasjeve në fshatrat përreth komunës së Gjakovës nga prokurori special, Ilir Morina u lexua edhe aktakuza.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës forcat policore dhe ushtarake serbe, duke vepruar nën komandën e të akuzuarve kanë zhvilluar një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Referuar aktakuzës Momir Stojanovig, Nikolla Miqunovig, Sreten Çamovia, Millovan Kovageviq dhe Sergej Peroviq, me pretekstin e pastrimit të terrenit nga forcat e UÇK-së, krijuan planin e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të ashtuquajtur “Reka e Keqe” në zonën e Caragojit, ku planifikuan vrasjen e mbi 100 personave dhe djegien e të gjitha shtëpive në shenjë hakmarrje për vrasjen e pesë policive serbë nga UÇK-ja.
Aktakuza thotë se si pasojë e këtij operacioni të planifikuar forcat serbe vranë 370 civil shqiptarë, prej tyre në fshatin Meje, u vranë 283 civil, ndërsa, trupat e 370 të vrarëve u gjetën në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Ndërsa, dispozivi dy i kësaj aktakuze i akuzon 53 të serbët edhe për dëbim, shkatërrim dhe plaçkitje pasurie.
Prokurori Special, Ilir Morina tha se si pasojë e implementimit të planit të ashtu quajtur “Reka e Keqe”, u dëbuan mbi 20 mijë banorë duke u deportuar për në Shqipëri. Më këtë rast të akuzuarit ngarkohen për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Në shqyrtimin e sotëm fillestar patën ankesa disa avokat për pajisjen në shkresa të lëndës, por që Prokuroria Speciale e Kosovës shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim.
Gjyqtarja Violeta Namani i njoftoi palët se brenda afatit të caktuar mund të kërkojnë hedhjen e aktakuzës.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të vitit 2023 ngriti aktakuzë për masakrën e Mejës, por që më pas u plotësua në prill të vitit 2024. /Kp/