Tarifat e reja globale të presidentit amerikan, Donald Trump, kanë hyrë në fuqi me normën 10%, ndonëse më herët ishte paralajmëruar një përqindje më e lartë.
Pas vendimit të Gjykata Supreme e SHBA-së për të bllokuar një pjesë të tarifave gjithëpërfshirëse të importit, Trump njoftoi fillimisht se do të aplikonte një normë globale prej 10%, përpara se të deklaronte të shtunën se tarifa do të rritej në 15%. Megjithatë, sipas dokumenteve zyrtare, nga e marta tarifat janë vendosur në nivelin 10%, pa ndonjë direktivë për rritje të mëtejshme.
Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar të premten përcakton se taksa e përkohshme prej 10% synon “të adresojë problemet themelore të pagesave ndërkombëtare” dhe të vazhdojë përpjekjet për ribalancimin e marrëdhënieve tregtare në favor të punëtorëve, fermerëve dhe prodhuesve amerikanë.
Administrata po e zbaton masën në bazë të Seksionit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i jep presidentit të drejtën të vendosë tarifa për një periudhë deri në 150 ditë pa miratimin e Kongresit.
Trump ka argumentuar se tarifat janë të nevojshme për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së. Megjithatë, deficiti arriti një nivel rekord javën e kaluar, duke u rritur me 2.1% krahasuar me vitin 2024 dhe duke kapur vlerën rreth 1.2 trilionë dollarë.
Sipas të dhënave zyrtare, SHBA-ja ka mbledhur tashmë të paktën 130 miliardë dollarë nga tarifat e vendosura në kuadër të Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës të vitit 1977.
Në një vendim me rezultat 6-3, Gjykata Supreme konstatoi se presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij kur vendosi tarifa globale gjithëpërfshirëse vitin e kaluar duke u mbështetur në aktin e vitit 1977. Trump e kritikoi ashpër vendimin, duke e cilësuar atë si “qesharak, të shkruar keq dhe jashtëzakonisht antiamerikan”.
Të hënën, ai paralajmëroi se mund të vendosë tarifa më të larta ndaj vendeve që, sipas tij, “luajnë lojëra” me marrëveshjet tregtare, ndërsa shumë shtete po analizojnë ndikimin e vendimit dhe fatin e marrëveshjeve ekzistuese tregtare.


