Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të mërkurën ka zhvilluar një takim me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Përmes një postimi në platformën sociale X, Lajçak tha se bisedimet e tyre u përqendruan në zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa takimi u zhvillua në prag të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Lajçak theksoi bashkëpunimin e ngushtë midis tij dhe O’Brien.
“Ne bëmë një shkëmbim të mendimeve rreth zhvillimeve të fundit në rajon dhe perspektivave që presin në horizont. Ne u pajtuam për bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm,” theksoi Lajçak.
Ai po ashtu falënderoi Shtetet e Bashkuara në përfshirjen dhe përkrahjen diplomatike.