Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e parë, Ardian Gjini.
Në një njoftim për media të lëshuar nga Kryeministria, janë dhënë disa detaje dhe ky takim është cilësuar si përmbajtësor.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në takim me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ekipen e tij, kanë diskutuar për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime.
“Kryeministri Kurti e njoftoi kryetarin e AAK-së, z.Haradinaj për takimet në Bruksel dhe Prishtinë, konstruktivitetin dhe kreativitetin e Kosovës përgjatë gjithë procesit të bisedimeve, i cili duhet përmbyllur me normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin e AAK-së për interesimin e vazhdueshëm dhe të qenurit aktiv për këtë çështje./KosovaNews/



