Qytetarët e Tajvanit e kanë votuar Lai Ching-te si president të ardhshëm të vendit të shtunën, të cilin Kina e ka cilësuar si ngatërrestar dhe për të cilin kishte bërë thirrje të mos votohej.
Partia Progresive Demokratike (PPD) e Lai e fitoi mandatin e tretë në zgjedhjet e së shtunës në Tajvan, të cilat Pekini i kishte përshkruar si zgjedhje mes luftës dhe paqes.
Lai, i cili prej vitit 2020 ka qenë zëvendëspresident, lufton për një Tajvan të pavarur dhe me identitet të ndarë kombëtar nga Kina.
Tajvani ka qenë tregim i suksesshëm demokratik prej se i mbajti zgjedhjet e para presidenciale në vitin 1996, pas disa dekadave vuajtjeje kundër sundimit autoritar dhe ligjit ushtarak.
Para zgjedhjeve, Kina vazhdimisht e ka dënuar Lain si një separatist të rrezikshëm dhe i ka hedhur poshtë thirrjet e tij të vazhdueshme për bisedime.
Lai thotë se është i vendosur për ta ruajtur paqen përgjatë Ngushticës së Tajvanit dhe për ta forcuar mbrojtjen e ishullit.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të shtunën në mëngjes se ka vërejtur balona kineze duke e kaluar ngushticën e ndjeshme, njëra prej të cilat fluturoi edhe mbi vetë Tajvanin.


