Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], Besnik Tahiri, ka thënë se në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur asnjëherë një klasifikim, siç e quajti ai, i rëndë në raport me vendin.
Tahiri deklaroi kështu gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë dhe Qeveria nuk kanë marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq serioz, kaq keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për me e kuptu se sa keq është, dhe sa e rëndësishme është që ky Parlament ta diskutoj këtë raport, ju lutem hapne vetëm faqen e parë. Në faqe të parë ky raport flet në radhë të parë për korrupsion serioz në Qeveri, as nuk thotë në qeverisje, as më gjerë, thotë korrupsion serioz në Qeveri”, tha Tahiri.
Ndryshe, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në reagimin e saj gjatë ditës së djeshme ka thënë se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Organizata Amerikane “Freedom House” në raportin e vitit 2024 kanë përmendur korrupsionin qeveritar, që, sipas tyre, “Vazhdon të jetë shqetësim SERIOZ në Kosovë”.