Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kontratat njëburimore janë abuzimet më të mëdha që ka bërë kryeshefi i pezulluar i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Tahiri ka thënë se këto kontrata do t’i dërgojë në Prokurori, pasi përveç dy-tre prej tyre, sipas tij, nuk ka pasur arsyetim që 27 të tjera të jetë kontrata njëburimore.
“Si grup parlamentar i opozitës kërkuam të enjten që të kemi raportim nga ministrja dhe nuk paragjykonim asgjë sepse drejtori i KEK-ut ishte në paraburgim. Kuvendi ka të drejtë të thirr seancë kur arrestohet një zyrtar i lartë i një partie politike. Tenderat njëburimor, për pesë muaj janë nënshkruar 30 kontrata njëburimore me vlerë 72 milionë euro. Nëse i sheh këto kontrata e sheh abuzimin e madh të cilin e ka kryer drejtori i KEK-ut. Pra 30 kontrata njëburimore të Nagip Krasniqit, që besoj që është me plot të drejtë në paraburgim edhe Mimoza ka shqetësim të madh sepse e njëjta ka mund të jetë në të kaluarën sepse është ndjekur politikisht nga drejtori i bordit që në atë kohë ka qenë ekspert në Prokurorinë Speciale dhe e ka shqetësim kur e sheh njeriun që e ka ndjekur si ekspert të PRSK e sheh në krye të bordit të KEK-ut”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ta tregojë vendimin për suspendimin e Krasniqit.


