Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, vazhdon me përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes. Në një postim në faqen zyrtare, është dhënë lajmi se ministrja Hajdari ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ pwr caktimin e lartësisë së tarifave për leje të subjekteve të tregtisë me produkte të naftës dhe karburanteve të ropërtëritshme.
“Në kuadër të realizimit të objektivave strategjike dhe zbatimit të reformave strukturore të Programit për Reformën në Ekonomi, që kanë për qëllim përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat, ministrja Rozeta Hajdari ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ (MINT) nr. 04/2022 për Caktimin e Lartësisë së Tarifave për Leje të Subjekteve për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme”, ka njoftuar ministria në faqen e saj zyrtare.
Me anë të Udhëzimit Administrativ përcaktohet lartësia e tarifave për shqyrtimin e aplikimit, dhënien, vazhdimin dhe plotësimin e lejes, varësisht sipas llojit, të cilat i paguajnë subjektet për aplikim, të lejeve për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.
“Udhëzimi Administrativ përcakton lartësinë e tarifave me shumën 50.00 euro për të gjitha llojet e lejeve për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme. Për dallim me Udhëzimin Administrativ të tanishëm nr. 16/2010 Për Caktimin e Lartësisë së Taksave për Licencimin e Subjekteve nga Sektori i Naftës dhe Derivateve të Naftës, në të cilin lartësia e tarifave maksimale ka qenë prej 500 euro deri në 5.000 Euro.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbështetjen e bizneseve, konkretisht përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë, duke mundësuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave kombëtare përmes zhvillimit të industrisë, ndërmarrësisë, inovacionit, tregtisë dhe turizmit”, thuhet në faqen zyrtare të ministrisë