Gezim Sveçla ka publikuar sot në profilin e tij në Facebook disa nga vendimet e fundit të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë, duke i cilësuar ato si rezultat i vizionit, përkushtimit dhe menaxhimit të mirë.
Sveçla ka bërë të ditur se secili punëtor i SAP do të marrë 500 euro shpërblim për festat e fundvitit, ndërsa nga janari i vitit 2026 do të sigurohet sigurim shëndetësor për të gjithë të punësuarit. Po ashtu, është konfirmuar edhe paga e 13-të për vitin e ardhshëm.
“Kur ka vizion e vullnet, përkushtim e përgjegjësi, rezultatet vijnë natyrshëm: qytetarët marrin shërbime më të mira, ndërmarrja publike forcohet, mirëqenia e punëtorëve rritet,” ka shkruar Sveçla.
Ai ka bërë të ditur se paga mesatare në SAP ka arritur në rreth 700 euro bruto, ndërsa punëtorët marrin edhe shujtë ditore prej 5 euro. Sipas tij, ndërmarrja nuk ka asnjë ditë vonesë në pagesa dhe asnjë problem financiar.
Sveçla ka njoftuar se ndërmarrja po e mbyll vitin me mbi 400 mijë euro fitim dhe mbi 1 milion euro në llogari bankare, ndërsa theksoi se janë rritur të hyrat dhe janë ulur shpenzimet operative.
“Stacioni i Autobusëve mbetet e vetmja ndërmarrje publike në Prishtinë ku aksionarë janë asamblistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ndryshimi me ndërmarrjet tjera komunale, në çdo segment, është i madh dhe i padiskutueshëm,” ka theksuar ai.
Sipas Sveçlës, rezultatet e këtij menaxhimi po reflektohen si në cilësinë e shërbimeve për qytetarët, ashtu edhe në përmirësimin e pozitës së punëtorëve, duke e bërë “Stacionin e Autobusëve” një ndër ndërmarrjet publike më të suksesshme në kryeqytet.


