Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, i ka vizituar komunat veriore, duke i takuar qytetarët dhe policinë e Kosovës.
Sveçla, në një postim në Facebook, ndër të tjera, ka deklaruar se serbët e Kosovës nuk janë palë të dorës së tretë, por janë banorë, qytetarë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe gëzojnë të njejtat të drejta.
Ai ka thënë se qytetarët janë të vendosur të qëndrojnë në atë anë dhe me punë të sigurojnë jetesën për ta dhe fëmijët e tyre. Pa asnjë dyshim ne do të jenë me ta dhe për ta. Po ashtu, sipas ministrit, te pjesëtarët e Policisë së Kosovës çdoherë vërehen përkushtim e disiplinë të pashoq, që garanton rend, ligj dhe siguri.
Postimi i plotë i ministrit
Dje vizitova komunat veriore dhe takova qytetarët tanë atje. Biseduam për kërkesat e tyre dhe përkrahjen institucionale. I sigurova që jam në shërbim të secilit qytetarë të Republikës së Kosovës dhe së bashku me akterët institucional do të jemi pranë tyre, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike.
Unë jam Ministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Qytetarët serbë nuk janë palë e dorës së tretë. Ata janë banorë, qytetarë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe gëzojnë të njejtat të drejta. Duke pasur parasysh proceset e përbashkëta që na presin, përgjatë takimeve theksova rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet tona në mënyrë që t’i kalojmë ato më lehtë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë në vendin tonë.
Natyrisht, vizitova edhe fshatrat shqiptare në veri ku për më shumë se dy dekada vërehej qartë mungesa dhe përkrahja e shtetit në këtë pjesë të vendit. Këta bashkëqytetarë janë të vendosur që të qëndrojnë në atë anë ku me pune e djersë, të sigurojnë jetë e prosperitet për ta dhe fëmijët e tyre. Pa asnjë dyshim ne do te jemi me ta dhe për ta.
Gjithandej takuam pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe si çdo herë, vërehej përkushtim e disiplinë e pashoq që garanton rend, ligj dhe siguri për të gjithë.


