Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është takuar me Presidentin e Policisë Federale të Gjermanisë, Dieter Romann me të cilin kanë diskutuar bashkëpunimin në mes të dy policive dhe nevojën për forcimin e këtij bashkëpunimi tutje, transmeton KosovaNews.

Gjatë takimit, Sveçla ka falënderuar Romann për ndihmën e dhënë për Policinë e Kosovës si në ndihmën e vazhdueshme me pajisje të ndryshme teknologjike, ashtu dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore kryesisht për kontroll dhe siguri të dokumenteve, falsifikim, migrim dhe kontroll të kufirit.
Përmës një postimi në facebook, ministri Sveçla njoftoi se në takim ka theksuar se përvoja e Policisë Federale Gjermane në ruajtjen dhe vëzhgimin e kufirit, luftimin e krimit në përgjithësi është jashtëzakonisht e rëndësishme për Policinë e Kosovës.
Sveçla ka njoftuar se presidenti i Policisë Federale shprehi gatishmërinë e tij për vazhdimin e mbështetjes konkrete duke intensifikuar projektet e përbashkëta si në fushën e avancimeve të kapaciteteve njerëzore, po ashtu dhe në avancimin e teknologjisë për luftimin e formave të ndryshme të krimit kryesisht ndërkufitar.
Në përfundim të takimit, Sveçla e ka ftuar Dr. Romann për një vizitë në Kosovë, për të parë nga afër progresin por dhe sfidat me të cilat përballemi si Kosovë.