Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka dënuar sulmin me koktej molotovi në Pastiçerinë “Sharr” në Mitrovicë të Veriut, lokal të cilin e kishte vizituar ditë më parë.
Sveçla ka kërkuar nga organet përkatëse identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
Sipas Sveçlës, sulmet e tilla nuk e zmbrapsin vendin dhe nuk frikësojnë qytetarët.
“Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin asesi dhe jam i bindur se nuk do ti frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ndryshe, sot pastiçeria “Sharr” në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me koktej molotovi, mëngjesin e sotëm.
Lajmin e ka konfirmuar, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Rreth orësh 03:30 ka pasur tentim për zjarrvënie në Mitrovicë të Veriut”, tha Elshani teksa shtoi se dëmet materiale janë të vogla.
“Për momentin nuk kemi të dyshuar”, theksoi Elshani.
Elshani konfirmoi se kjo pastiçeri është ajo në të cilën qëndroi ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.